Një zhvillim i pazakontë është raportuar në Durrës, ku personi i pastrehë, për të cilin ishte publikuar më herët një denoncim se ishte lënë pranë Portit të Ri të Peshkimit, rezulton se ka shfaqur shenja jete pasi ishte transportuar në morg.
Sipas raportimit të JOQ Albania, pasi u gjet pa shenja jete, burri u transportua drejt morgut, ku u konstatua se kishte ende puls. Më pas ai është rikthyer në spital për trajtim mjekësor.
Po sipas të njëjtit burim, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, mjekët janë detyruar t’i amputojnë njërën këmbë.
Rasti ka ngritur sërish pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar pacienti. Dy ditë më parë u publikua një denoncim sipas të cilit një ambulancë e kishte lënë atë pranë Portit të Ri të Peshkimit në Durrës.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me këto pretendime, ndërsa pritet që rasti të sqarohet nga autoritetet përkatëse.
