Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia e ndodhur në fshatin Domen, në njësinë administrative Postribë të Shkodrës, ku humbën jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur.
Sipas informacioneve paraprake dhe hetimeve të deritanishme, dyshohet se ngjarja është shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi 5-litërshe, të cilën e reja kishte ndezur brenda banesës së vjetër në pronësi të familjes së saj.
Nga shpërthimi, sipas raportimeve, çatia e banesës është shembur, duke i lënë nënën dhe dy fëmijët të bllokuar brenda, ndërsa flakët përfshinë të gjithë objektin.
Alarmi është dhënë nga një banor i zonës, i cili ka parë zjarrin nga larg dhe ka njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Megjithatë, ndërhyrja u vështirësua për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së një rruge që të çonte pranë banesës.
Raportohet se dy automjete zjarrfikëse mbërritën deri në fund të rrugës, ndërsa efektivët ecën rreth 40 minuta në këmbë për të arritur në vendngjarje. Kur mbërritën, banesa ishte shkrumbuar pothuajse plotësisht.
Viktimat janë identifikuar si Bleona Çobaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj, Amar, 18 muajsh, dhe Anuar Çelaj, 3 vjeç.
Sipas raportimeve, familja ishte kthyer nga Gjermania për pushime dhe prej disa ditësh po pastronte banesën e vjetër në Domen. Në momentin e ngjarjes, babai i 24-vjeçares dhe bashkëshorti i saj ishin larguar për të blerë disa sende.
Lidhur me këtë tragjedi kanë reaguar edhe figura të njohura publike, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.
