Janë bërë publike detaje nga dëshmia e Rozalinda Plakës, ish-të fejuarës së Refit Buzit, i cili dyshohet se vrau prindërit e saj dhe më pas e mbajti peng për disa orë, përpara se t’i jepte fund jetës.

Në dëshminë e saj para autoriteteve, Rozalinda ka treguar se lidhja me Buzin kishte nisur në vitin 2020 dhe ishte kurorëzuar me fejesë. Megjithatë, sipas saj, marrëdhënia u përkeqësua me kalimin e kohës dhe përfundoi në vitin 2024.

Ajo ka deklaruar se vendimi për t’u ndarë lidhej me problemet që, sipas saj, kishte ish-i fejuari, ndërsa ka shtuar se prindërit e saj nuk kishin qenë dakord me këtë lidhje që në fillim.

Rozalinda ka përshkruar edhe momentet dramatike të sulmit, duke rrëfyer se pa Refit Buzin me armë në dorë dhe babain e saj të shtrirë në korridor. Më pas, sipas dëshmisë së saj, ajo u mor me forcë nga banesa dhe u mbajt peng për disa orë.

Sipas raportimeve, gjatë negociatave me policinë u diskutua edhe një episod që lidhej me një palë këpucë që Buzi ia kishte dhënë më herët Rozalindës. Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.