Këngëtari Labinot Tahiri ka bërë një gjest që ka prekur ndjekësit, duke njoftuar se do të mbështesë financiarisht djalin e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, Roelin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Labinoti tregoi se, për aq kohë sa do të vazhdojë aktivitetin e tij muzikor, nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë do të ndajë 150 euro për Roelin, si një ndihmë për të ardhmen e tij.

“Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje vjetore muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij”, shkroi ai.

Labinoti shtoi se fondet do t’ia dorëzojë Selvies, nënës së Roelit, duke theksuar se dëshiron ta mbajë këtë premtim me vepra dhe jo vetëm me fjalë.

Në fund të mesazhit, ai u bëri thirrje edhe kolegëve artistë që, sa herë të kenë mundësi, të mbështesin familjen e Shpat Kasapit, duke e cilësuar këtë si dhuratën më të bukur në kujtim të këngëtarit.