Modelja Loredana Brati ka folur pa doreza për disa prej emrave më të njohur të showbiz-it shqiptar, duke zbuluar se cilët artistë vlerëson më shumë dhe me kë nuk dëshiron të ketë më lidhje.
E ftuar në emisionin “Kampionët e Botës” në Tv Klan, ajo mori pjesë në një lojë, ku duhej të zgjidhte personazhin që do ta mbante “titullar”, atë që do ta linte “në stol” duke i dhënë një mundësi të dytë dhe atë që do ta dërgonte “në tribunë”, duke e përjashtuar nga jeta e saj.
Pa hezitim, Loredana vendosi Don Xhonin në vendin e parë, duke treguar se është një nga artistët e saj të preferuar.
“Meqë e ka nxjerrë albumin tani dhe e kam shumë xhan, Don Xhonin”, u shpreh ajo.
Kur u pyet se kujt do t’i jepte një shans të dytë, modelja zgjodhi Joz Markun, ndërsa theksoi se në përgjithësi ruan marrëdhënie të mira me të gjithë.
Megjithatë, për pyetjen se kë do të përjashtonte nga jeta e saj, përgjigjja ishte e prerë.
“Për t’i dhënë fund këtyre thashethemeve që janë ngritur kohët e fundit, Gjestin”, deklaroi Loredana.
Deklarata e saj pritet të marrë vëmendje në rrjetet sociale, pasi vjen mes spekulimeve që kanë qarkulluar së fundmi për raportin mes tyre.
