Fituesja e edicionit të fundit të “Ferma VIP”, Mimoza Ahmeti, ka reaguar ndaj kërkesave të ndjekësve që e kanë ftuar t’u bashkohet protestave që po zhvillohen prej javësh në Tiranë.

Gjatë një transmetimi live në TikTok, ku ishte e ftuar së bashku me producentin Eraldo Rexho, poetja sqaroi se nuk ka ndërmend të marrë pjesë në protesta, duke theksuar se pas qëndrimit disa mujor në reality show ndihet e lodhur fizikisht dhe emocionalisht.

“Ku kam takat unë për protestë? Jam lodhur, jam gërdis, plot tre muaj në fermë”, u shpreh Ahmeti.

Ajo kujtoi gjithashtu periudhat kur, sipas saj, protestonte për kauzat e saj, ndërsa nuk merrte mbështetjen e njerëzve.

“Kur kam protestuar unë që në vitin 2000, ju talleshit me mua. Tani protestoni ju pak për mua, të rri edhe unë në shtëpi siç rrinit ju atëherë kur protestoja unë”, deklaroi ajo.

Mimoza Ahmeti shprehu edhe rezervat e saj për mënyrën se si po zhvillohen protestat, duke thënë se nuk e ka të qartë mesazhin që ato synojnë të përcjellin.

“Kjo protesta po bëhet e çuditshme. Kërkoni gjërat që doni vërtet, se këtu po bëhet gjeopolitikë me protestë, s’po marr vesh fare”, tha fituesja e “Ferma VIP”.

Deklaratat e saj kanë nxitur diskutime në rrjetet sociale, ku ndjekësit kanë reaguar me mendime të ndryshme për qëndrimin e saj.