Koncerti i shumëpërfolur i reperit amerikan Kanye West, që pritet të mbahet këtë të shtunë në Tiranë, vijon të dominojë debatet në opinionin publik.

Pas polemikave të ditëve të fundit për financimin e koncertit, një tjetër detaj ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale. Në faqen zyrtare të artistit, vendndodhja e koncertit është publikuar si “Tirana, Turkey”, duke e vendosur kryeqytetin shqiptar gabimisht në Turqi.

Fotografia është shpërndarë edhe nga gazetarja Flora Xhemani Baba, e cila e ka cilësuar situatën si paradoksale, duke rikthyer në vëmendje debatet për organizimin e koncertit.

Postimi ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë kritikuar këtë gabim, ndërsa kanë kërkuar korrigjimin e menjëhershëm të vendndodhjes.

Ndërkohë, koncerti i Kanye West mbetet një nga ngjarjet më të diskutuara të ditëve të fundit, si për shkak të organizimit, ashtu edhe për debatet që kanë shoqëruar financimin dhe zhvillimin e tij.