Kanë dalë detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të dhunës ndaj një 17-vjeçareje në Fier, videoja e së cilës u bë virale ditët e fundit në rrjetet sociale.

Sipas informacioneve të bëra publike nga Policia e Fierit, njëra prej vajzave të përfshira në incident ishte arrestuar më 28 qershor për një çështje tjetër. Autoritetet bëjnë me dije se e mitura u procedua pasi ishte kallëzuar nga nëna e saj për ushtrim dhune në familje.

Pas arrestimit, ajo u dërgua për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.

Ngjarja ndaj 17-vjeçares kishte ndodhur më 8 qershor dhe ishte denoncuar po atë ditë nga viktima dhe nëna e saj. Sipas Policisë, tre vajzat e përfshira kanë pranuar se kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatares për motive të dobëta, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë një ditë më pas.

Publikimi i videos një muaj pas ngjarjes ka rikthyer rastin në qendër të vëmendjes, duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave.