Këngëtarja dhe sipërmarrësja Ledi Vokshi ka prekur ndjekësit me një rrëfim të sinqertë në rrjetet sociale, ku bëri të ditur se ka përjetuar humbjen e foshnjës që ishte në pritje.
Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova 2” tregoi se kishte menduar ta përdorte postimin për të ndarë lajmin e bukur të shtatzënisë, një ëndërr për të cilën, sipas saj, ishte lutur prej tre vitesh. Megjithatë, ngjarjet morën një kthesë të dhimbshme, duke e shtyrë të fliste hapur për humbjen që ka përjetuar.
Në mesazhin e saj, Vokshi u solidarizua me të gjitha gratë që kanë kaluar të njëjtën përvojë, duke theksuar se një dhimbje e tillë nuk duhet të përballohet në vetmi. Ajo u bëri thirrje atyre që të mos ndihen të izoluara dhe të dinë se nuk janë vetëm në këtë rrugëtim të vështirë.
Kjo nuk është hera e parë që Ledi Vokshi flet për sfidat personale. Gjatë qëndrimit në “Big Brother VIP Kosova 2”, ajo kishte rrëfyer se brenda një periudhe të shkurtër kishte humbur dy shtatzëni, si edhe babanë e saj, një seri ngjarjesh që lanë gjurmë të thella në jetën e saj.
Pavarësisht dhimbjes, këngëtarja shprehet se forca më e madhe për të ecur përpara janë dy djemtë e saj, të cilët i konsideron bekimin dhe mbështetjen më të madhe në jetën e saj.

