Kejsi Borri ka folur për herë të parë mbi mundësinë për t’u bërë pjesë e edicionit të ardhshëm të Big Brother VIP Albania, gjatë një interviste në emisionin “Top Arena”.

E pyetur nëse do ta pranonte një ftesë për të hyrë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, Kejsi u shpreh se për momentin nuk e sheh si prioritet një eksperiencë të tillë, pasi dëshiron të realizojë fillimisht disa projekte personale.

Ajo tregoi se ka shumë ngjashmëri në karakter me vëllain e saj, Mateo Borri, megjithëse pranoi se është më impulsive dhe ka më pak durim se ai.

Kejsi theksoi se, nëse një ditë vendos të bëhet pjesë e formatit, dëshiron që publiku ta njohë për punën, talentin dhe projektet e saj, e jo vetëm si motra e Mateos.

Megjithatë, ajo sqaroi se nuk e ka problem të identifikohet edhe përmes familjes së saj, duke thënë se e konsideron një vlerësim të quhet motra e Mateos apo vajza e babait të saj.

Deklarata e saj u prit me duartrokitje në studio, ndërsa Kejsi e mbylli bisedën me humor, duke lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen të pranojë një ftesë për në “Big Brother VIP”.