Marius Dervishi, i njohur në rrjetet sociale me emrin Zebërvoki, ka njoftuar se do të largohet nga radhët e Policisë së Shtetit, duke bërë të ditur se në fillim të javës do të paraqesë dorëheqjen.

Vendimin e ka bërë publik përmes një postimi në Instagram, ku shpjegon se largimi nuk lidhet me pakënaqësi ndaj profesionit apo kolegëve të tij, por me klimën e krijuar ndaj efektivëve të policisë pas ngjarjeve të fundit dhe protestave në vend.

Sipas tij, perceptimi negativ dhe përgjithësimet që bëhen ndaj të gjithë punonjësve të policisë e kanë shtyrë të marrë këtë vendim. Ai thekson se shumë efektivë kryejnë detyrën me përkushtim, por puna e tyre shpesh mbetet në hije për shkak të kritikave që drejtohen ndaj institucionit.

Në reagimin e tij, Zebërvoki shprehet se nuk dëshiron të vazhdojë të japë kontribut në një situatë ku, sipas tij, policët etiketohen vazhdimisht si fajtorë për çdo ngjarje.

Ai shton se vendimi është i vështirë, pasi e ka ushtruar profesionin me pasion, por ndjen se është demoralizuar nga mënyra se si trajtohen uniformat blu në opinionin publik.

Në fund të mesazhit të tij, ai lë edhe një reflektim:

“Mos harroni një gjë: Çka nuk e sheh syri i kamerës, e sheh Zoti.”