Pas ditësh të tëra kritikash dhe pyetjesh në rrjetet sociale për mungesën e një reagimi publik lidhur me projektin e shumëdiskutuar në Zvërnec, Donald dhe Romeo Veshaj kanë vendosur më në fund të flasin.

Në emisionin e tyre “Më lër të mbaroj”, vëllezërit Veshaj zhvilluan një bisedë me disa figura të njohura nga Vlora, ku u diskutua gjerësisht për projektin që ka ndezur debat në mbarë vendin.

Gjatë bisedës, Donaldi u shpreh se zëri i vlonjatëve është anashkaluar në këtë debat, duke theksuar se në emër të Vlorës po flitet shumë, por sipas tij, vetë banorët e zonës nuk janë dëgjuar sa duhet.

“Dua që zëri i vlonjatëve të dëgjohet sepse më është dukur sikur jemi anashkaluar. Flitet në emër të Vlorës, përdoren këngë polifonike dhe vlonjatin nuk e ka dëgjuar njeri”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Romeo theksoi se në këtë diskutim duhet të dëgjohen profesionistë, sipërmarrës, sportistë dhe intelektualë të Vlorës, pasi sipas tij ata janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të qytetit.

Të ftuarit në studio u shprehën kryesisht pro investimit, duke argumentuar se projekte të tilla sjellin zhvillim ekonomik, vende pune dhe mundësi të reja për zonën.

Qëndrimi i vëllezërve Veshaj ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku një pjesë e ndjekësve kanë mbështetur deklaratat e tyre, ndërsa të tjerë kanë vijuar kritikat për mënyrën se si po trajtohet çështja e Zvërnecit.

Debati mbi projektin vazhdon të mbetet një nga temat më të nxehta të ditëve të fundit në vend.