Protestat kundër projektit të shumëdiskutuar në Zvërnec kanë vijuar edhe sot në Tiranë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për të kundërshtuar atë që ata e cilësojnë si privatizim të plazhit dhe të hapësirave publike.

Qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile marshuan për disa orë në kryeqytet, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e zonës së Zvërnecit. Pankartat dhe thirrjet kundër privatizimit të tokës publike dominuan gjatë gjithë protestës.

Gjatë tubimit u regjistrua edhe një moment që tërhoqi vëmendjen e protestuesve. Në zonën ku po zhvillohej protesta u afrua një autobot me ujë, i cili sipas protestuesve kishte për qëllim shpërndarjen e turmës dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Megjithatë, ndryshe nga raste të tjera të ngjashme, qytetarët nuk u larguan. Përkundrazi, ata vijuan protestën dhe qëndruan në vend, duke detyruar autobotin të tërhiqej nga zona mes thirrjeve dhe brohorimave të pjesëmarrësve.

Pamjet e këtij momenti janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e kanë cilësuar si një tregues të vendosmërisë së protestuesve për të vazhduar kundërshtimin e tyre.

Ndërkohë, protesta ka vijuar pa incidente të rënda, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për mobilizim edhe në ditët në vijim, duke theksuar se kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec do të vazhdojë.

@zeri_al

Uji nuk bën punë! Policia bën një hap pas, autoboti u hap rrugën protestuesve‼️ #zëri #proteste #viral

♬ original sound – ZËRI