Këngëtari dhe fituesi i Big Brother VIP, Luiz Ejlli, ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar në Zvërnec, duke ngritur një debat më të gjerë mbi mënyrën se si trajtohen protestat dhe kauzat qytetare në Shqipëri.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai u shpreh se nuk ka asgjë kundër atyre që po reagojnë për zhvillimet në Zvërnec, por sipas tij problemi qëndron te fakti se shumë njerëz zgjedhin të flasin vetëm për një rast të caktuar, ndërsa heshtin për situata të ngjashme që ndodhin në zona të tjera të vendit.
“Ku është ndryshimi mes Rrjollit dhe Zvërnecit? Ose reagojmë për të gjithë, ose po përdorim standarde të dyfishta”, shkruan Ejlli.
Sipas tij, banorët e Rrjollit janë përballur prej kohësh me tensione dhe kundërshtime për çështje që lidhen me tokat dhe pronat, por nuk kanë marrë të njëjtën vëmendje publike që po merr aktualisht Zvërneci.
Deklarata e Luizit ka hapur diskutime të shumta në rrjet, ku shumë qytetarë kanë ndarë mendime të ndryshme mbi nevojën për solidaritet më të madh mes komuniteteve që përballen me probleme të ngjashme.
Ai thekson se protestat në Shqipëri shpesh dështojnë sepse mbeten të izoluara dhe nuk arrijnë të kthehen në lëvizje më të gjera qytetare. Sipas tij, kur një komunitet lihet vetëm, zëri i tij dobësohet, ndërsa bashkimi i qytetarëve rreth kauzave të përbashkëta do ta bënte reagimin shumë më të fortë.
Reagimi i Luiz Ejllit vjen në një moment kur çështja e Zvërnecit ka marrë vëmendje të madhe publike dhe po shoqërohet me debate të shumta në opinionin publik.
