Dy kompani të sigurisë private kanë humbur zyrtarisht licencën pas incidenteve të rënda të regjistruara gjatë protestës së 30 majit në Zvërnec.
Bëhet fjalë për kompanitë Myrto Security 1.3A dhe Major Security, të cilave autoritetet u kanë revokuar të drejtën për ushtrimin e aktivitetit pas hetimeve administrative mbi ngjarjet e ndodhura në zonën e protestës kundër projektit turistik në Portonovë.
Sipas gjetjeve zyrtare, “Myrto Security 1.3A” nuk kishte zbatuar rregullat bazë të kontrollit të hyrje-daljeve në objekt dhe nuk administronte listën e personave apo mjeteve të autorizuara.
Për pasojë, në territorin e rrethuar kanë hyrë persona të paidentifikuar, të cilët sipas raportimeve kanë ndërhyrë fizikisht ndaj protestuesve, duke goditur dhe tërhequr zvarrë një qytetar, si edhe duke hedhur gurë dhe sende të tjera.
Autoritetet theksojnë se punonjësit e kompanisë nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar apo larguar këta persona nga zona.
Ndërkohë, një tjetër zhvillim i fortë lidhet me punonjësin e licencuar të “Major Security”, Gerald Biba, i cili është arrestuar pasi dyshohet se ka goditur me grusht një protestues dhe më pas, bashkë me dy persona të tjerë, e ka tërhequr me forcë brenda rrethimit të kantierit.
Sipas verifikimeve, dy personat e tjerë që shfaqeshin në incident nuk rezultonin të regjistruar apo të licencuar nga kompania për të ushtruar funksione sigurie.
Pas përfundimit të procedurave administrative, autoritetet vendosën revokimin e licencave për të dy kompanitë, ndërsa ngjarja vijon të shkaktojë reagime të forta në opinionin publik.
