Një rrëfim i papritur nga Soni Malaj ka rikthyer në vëmendje historinë e saj të dashurisë me Flori Mumajesi.
Gjatë një bisede në Ferma VIP, këngëtarja tregoi se vëmendja e madhe mediatike ndaj lidhjes së tyre kishte arritur në nivele të tilla, sa çifti vendosi të sajonte një ndarje vetëm për t’i shpëtuar presionit.
Soni rrëfeu se në atë periudhë çdo detaj i jetës së tyre private përfundonte në gazeta, duke i bërë të ndiheshin vazhdimisht të vëzhguar.
Madje, sipas saj, ata u thanë edhe familjarëve se ishin ndarë, në mënyrë që historia të dukej e besueshme.
Por plani nuk funksionoi për shumë kohë.
“Bëmë ne një ndarje, gjoja, por edhe familjarëve u thamë jemi ndarë. Por duke dalë nga avioni dikush na bëri foto dhe u shpërnda kudo”, tregoi këngëtarja.
Ajo kujtoi gjithashtu se lajmi u transmetua menjëherë në media dhe kur shkuan në një restorant, të gjithë të pranishmit po ndiqnin pikërisht atë histori në televizor.
Sipas Sonit, presioni i vazhdueshëm nga mediat dhe mungesa e përvojës për ta menaxhuar këtë situatë u kthyen në një nga arsyet kryesore që ndikuan në fundin e lidhjes së tyre.
“Kur e kemi ridiskutuar më vonë pse jemi ndarë, arsyeja kryesore ishte pikërisht ky presion shumë i madh. Nuk dinim ta menaxhonim”, u shpreh ajo.
Rrëfimi i artistes ka ngjallur interes të madh në rrjet, duke rikthyer kujtimet e një prej historive më të komentuara të showbiz-it shqiptar.
